
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së dhe mbesa e presidentit Thaçi, Evgjeni Thaçi, ka reaguar lidhur me protestën e VV-së të paralajmruar për nesër.
Nëpërmjet një postimi në Facebook të titulluar “Pafytyrësia e Kurtit dhe absurditeti i protestës së 29 shtatorit”, ajo ka thënë se protesta e 29 shtatorit është false dhe se thirrësit e saj nuk kanë kauzë, nuk kanë parime dhe nuk mbrojnë asgjë.
“Kurti dhe Vetëvendosje deri tani, përpos që marrin rroga nga buxheti i Republikës së Kosovës, nuk kanë deklaruar kurrë se e njohin atë. Nuk e respektojnë asnjë element që e identifikon dhe simbolizon Republikën e Kosovës.
Unë kam dyshime të mëdha tek ata që thonë se mbrojnë diçka të cilën nuk e njohin. Prandaj do të ishte mirë edhe të na kursenin nga heroizmat”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Sipas Thaçit, “kushtrimi” për pjesmarrje në protestë, duke iu drejtuar të rinjëve, grave, pensionistëve, të papunëve, është thirrje tipike elektorale, duke shtuar se Kurti e di se në çfarë pozite ka qenë VV-ja vetëm një vit me parë dhe në çfarë pozite është sot, dhe sipas saj, ky është një rast i artë që të mbledh votuësit potencialë, t’u drejtohet atyre, të akuzojë, të ofendojë, te shajë, të mallkojë… eventualisht të gjuajë ndonjë gurë dhe ta fsheh dorën.
Thaçi pretendon se sikur shkëlqimi, ashtu edhe rënia e VV-së i faturohet pikërisht Kurtit, dhe se ai po e shfrytëzon këtë situatë të krijuar të cilën ajo thotë se është ideale që Kurti t’i ushqejë dhe zhvillojë ambicjet personale dhe këndelljen e VV-së.
Për situatën e krijuar, mbesa e presidentit thotë se kanë ‘hise’ edhe shumica e partive politike dhe disa media, pa treguar se pse mendon ashtu.
Ata të cilët po i bashkohen protestës së VV-së, Thaçi i ka quajtur pseudo intelektualë hde analistë “të pa-inkuadruar” në parti.
“Të flasim të vertetën, si të parët por edhe të dytët nuk është se njihen si figura stabile, me parime të forta politike e morale. Kështu që edhe është pritur që pikërisht këta persona të jenë të parët që bien pre e kurthit të Kurtit. Ata nuk ndihën rehat në lekurën e tyre për gjithçka që (s’)kanë bërë apo (mos) thënë. Duke qenë “nomad politik” nuk e kanë zor të bashkangjiten kujtdo dhe kudo që shohin një fije shprese për protagonizëm apo të tentojnë të japin mesazh pakënaqësie për deshtimin e marrjës së ndonjë pozite apo favori të cilin e kanë pretenduar. Por krejt kjo mund të jetë edhe thjeshtë padituri dhe naivitet i këtyre “aktivisteve të huazuar” qoftë edhe për një ditë nga Kurti”, vijon ajo në postimin e saj.
Thaçi shprehet se Kurti dhe VV-ja, duke u thirrur në kauzën e bashkimit kombëtar kanë shkaktuar një traumë të paparë në shoqërinë kosovare, dhe sot që kjo ide po përkrahet nga njerëz të cilët sipas saj ndoshta edhe mund ta realizojnë, është Kurti dhe Vetëvendosja që po e kundërshton këtë mundësi me protestë.
“Protesta është thirrur dhe organizuar nga partia Vetëvendosje, filozofia fillestare e së cilës në thelb ka qenë bashkimi kombëtar, pra bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Duke u thirrur në këtë kauzë, Kurti dhe VV-ja gjatë gjithë këtyre viteve ka shkaktuar një traumë të paparë në shoqerinë kosovare, duke përbuzur institucionet e vendit dhe etiketuar paturpësisht drejtuësit e tyre, duke shkaktuar dhunë ndaj institucioneve, policëve dhe personave të tjerë zyrtar, duke mos i kursyer as familjarët e tyre.
Sot, kur ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën po përkrahet dhe fuqizohet nga njerëz të cilët, bazuar në pozitën, historinë dhe karrierën e tyre politike, ndoshta edhe mund ta realizojnë atë, është pikerisht Kurti dhe Vetëvendosje e cila jo vetëm që e kundërshton këtë ide deklarativisht, por edhe organizon protesta në rrugë e në sheshe.
Një njeri me kokë të kthjellët do të mund të pyeste: çka ndodhi me dëshirën e flaktë të Kurtit për bashkim të mbarë trojeve shqiptare?”, ka shkruar ajo.
Ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe faljen e veriut, Thaçi i ka quajtur shpikje të opozitës dhe politikanëve të tjerë duke shtuar se këto janë fraza të kundërshtuara absolutinsht nga presidenti. Për këtë, sipas Thaçit kjo protestë është boshe dhe absurde.
Postimin e saj, Thaçi e ka përfunduar me një pyetje.
“E fundit dhe më e rëndësishmja: çfarë shqiptari apo shqiptarëje duhët të jesh, e të kundërshtosh me kaq këmbëngulje deri në arrogancë bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën?!!!”, ka shkruar ajo.