Takimi mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive shqiptare në opozitë, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi ende mbetet pezull.
Nga opozita shqiptare thonë se nuk ka ende ditë të dakorduar për këtë takim edhe pse kreu i Qeverisë së shtetit fqinj paralajmëroi vetë se pritet të ndodhë të mërkurën ose të enjten.
Deputeti nga opozita shqiptare Elmi Aziri tha se duhet të dëgjojnë argumentet dhe qëndrimet e Qeverisë lidhur me propozimet e tyre për Ligjin e shtetësisë, ndërsa shtoi se ata janë gati edhe me argumente edhe me qëndrimet rreth ideve të propozuara nga të dyja palët.
Aziri tha se skandali i fundit me pasaportat e lëshuara ndaj kriminelëve dhe narko dilerëve rajonal, ka shpërfaqur qasjen fashizoide të sistemit ndaj qytetarëve të vet.
Ky skandal sipas deputetit të Aleancës për Shqiptarët tregon se shtetësinë në Maqedoninë e Veriut më lehtë mund ta fitojnë kriminelët sesa qytetarët që kanë lindur dhe jetuar me dekada në vendin fqinj,njofton Insajderi.
Aziri tha se nuk do t’i tërheqin amendamentet e tyre për asnjë ligj derisa të arrihet marrëveshje për ligjin e shtetësisë.
Duke komentuar akuzat se po bllokojnë pakon qeveritare, ai kujtoi se debati në komisionin për finansa dhe buxhet zgjat maksimalisht tre ditë dhe ajo pako mund të zhbllokohet edhe përkundër numrit të amendamenteve.
Por vetë fakti se komisioni nuk thirret, Aziri tha se kjo dëshmon që pushteti bën bllof dhe nuk ka vullnet të sinqertë për shpërndarjen e mjeteve për qytetarët dhe kompanitë. /Insajderi.com