Mbetjet kockore të zhvarrosura në varrezat masive në Kizhevak të Serbisë gjate 2020-tës, janë dërguar për analizë të AND-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP.
Lajmin e ka bërë të ditur koordinatori i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Kushtrim Gara.
“Janë dërguar për analizë të AND-së në Komisionin Qeveritar për persona të zhdukur. Ne presim shumë shpejt të kthehen rezultatet dhe të shohim mundësinë si do të procedojmë më tutje”, ka theksuar Gara për Radio Kosovën.
Ai ka sqaruar se gërmimet në Kishevak do të rifillojnë menjëherë sapo të përmirësohen kushtet atmosferike. Ai tha se pret që punimet pritet të vazhdojnë në fund të muajit mars.
“Vazhdimin e gërmimeve dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore që janë në këtë lokacion, dërgimin e tyre për analizë të AND-së dhe riatdhesimin e tyre në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Sipas Garës, gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë proceduar nëntë lokacione, ku janë gjetur dhe zhvarrosur 11 mbetje kockore të personave viktima të luftës. Ndërkaq, gjatë muajit shkurt të këtij viti ka pasur një gërmim vlerësues brenda varrezave të qytetit të Gjakovës, ku janë gjetur mbetjet mortore të një personi, viktimë e luftës.
“Hapësirat e varrezave të qyteteve janë përdorur nga forcat serbe për të groposur viktima dhe për t’i humbur gjurmët”, ka theksuar Gara.
Ai ka bërë të ditur se edhe dy urdhëresa janë siguruar për disa lokacione të shënjuara në territorin e vendit. Ndryshe kah mesi i këtij muaji do të mbahet një takim i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, ku temë do të jetë lokacioni i varrezës masive në Kizhevak./Insajderi.com