Mbi 1 mijë doza të Pfizerit të pashfrytëzuara, qendra e vaksinimit “1 Tetori” e zbrazur

Mbi 1 mijë doza të Pfizerit të pashfrytëzuara, qendra e vaksinimit “1 Tetori” e zbrazur

Më shumë se një mijë doza të vaksinës Pfizer, të ardhura në Kosovë, nuk kanë hyrë ende në përdorim, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, Niman Bardhi, i cili tha se nga katër mijë e 680 doza që kanë në dispozicion, që nga data 5 maj, janë vaksinuar tre mijë e 500 persona.

Sipas Bardhit, sot janë vaksinuar 160 persona nga personeli shëndetësor.

“Deri në këto momente kemi të vaksinuar 160 persona, ndërkaq numri total nga dita e parë, kur kemi filluar më 5 maj, kemi gjithsej rreth 3500 persona të vaksinuar”, ka thënë Bardhi.

Ai ka shtuar se për arsye të ndryshme, salla “1 Tetori” sot është e zbrazur pasi shumë pak personel mjekësor kanë shprehur interesim për vaksinim.

“Aktualisht tani nuk kemi asnjë nga profesionistë shëndetësor që kanë ardhur të marrin vaksinimin, derisa ne të gjithë jemi në pritje të tyre. Personelin shëndetësor, për arsye të tyre nuk i kem këtu për tu vaksinuar. Gatishmërinë tonë e kemi, jemi në pritje dhe do të shohim se deri ku do të arrijë numri i të vaksinuarve gjatë ditës së sotme”, është shprehur ai. /Insajderi.com