Mbi 1 mijë e 600 të pafajshëm u dërguan në burg

Mbi 1 mijë e 600 të pafajshëm u dërguan në burg

1.625 persona në Kosovë janë shpallur të pafajshëm pasi janë mbajtur për një kohë në burg.

Këto statistika burojnë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe vlejnë për periudhën 2004-2020.

Në bazë të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve si dhe Kodit të Procedurës Penale – të pafajshmit e liruar duhet të kompensohen materialisht.

Ky kompensim për 16 vjet Kosovës i ka kushtuar 4 milionë e 363 mijë e 759 euro, sipas të dhënave të nga KGJK dhënë Insajderit.

Më së shumti mjete financiare janë shpenzuar në vitin 2018, ku 185 të akuzuarve të pafajshëm është dashur të ju jepen mbi 463 mijë euro në total.

Ndërsa, në vitin 2004, ishin dënuar 14 persona për t’i kushtuar shtetit mbi 31 mijë euro.

 

Rregullimi juridik

Kornizat juridike e rregullojnë kompensimin e personave të burgosur pa faj. Konventa Evropiane për të Drejtat, ka aplikim direkt në Kosovë përmes nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës.

Kjo e drejtë gjithashtu rregullohet përmes Kodit të Procedurës Penale që rrjedh nga bazat e akteve më të larta juridike.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për Insajderin se sikur të zbatohej më shumë Kodi i Procedurës Penale do të kishte më pak burgosje të cilat nuk janë të argumentuar mirë.

“Qëndron një person një kohë të gjatë në paraburgim, në pamundësi për t’u dëshmuar fajësia e tij ai lirohet dhe më pastaj duhet të kompensohet”, pohon Miftaraj.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj

Si bëhet kompensimi?

Sipas praktikës gjyqësore vlera e kompensimit sillet 40 deri në 70 euro për një ditë.

Shpagimi i atyre që iu merret liria pa kryer vepër caktohet në bazë të reputacionit të humbur apo gjendjes së tyre psikologjike.

Neuropsikiatri, Fahri Drevinja, i tha Gazetës Online Insajderi se ekspertiza e gjykatës e njeh “dhimbjen shpirtërore”, apo në zhargonin juridik “tronditje e rëndë”.

Paraja nuk e kompenson lirinë

Ilustrim

Një personi që iu cenua liria me iniciale A.B., i cili nuk dëshiroi të identifikohej për publikun, tregoi për lirimin e tij si i pafajshëm.

Thotë se “kompensimi nuk e lehtëson dhimbjen shpirtërore” e shkaktuar nga akuza dhe burgimi.

“Nuk kompensohet as prishja e imazhit te shoqëria dhe rrethi i gjerë”, përshkruan ai.

Tregon se është e vështirë ambientimi në jetën jashtë pas përjetimeve në burg, sidomos kur nuk kryen vepër penale.

Pasojat

Neuropsikiatri, Fahri Drevinja, pohon se burgosja, sidomos pa faj, shkakton ankth e depresion.

Ai inkurajon shoqërinë që këta njerëz t’i integrojë përsëri.

“Ata duhet të kompensohen materialisht e të lehtësohen më fjalë nga shoqëria në mënyrë që ta kalojnë më lehtë”.

“Lehtë se kanë”, neuropsikiatri e merr shembull ndjenjën njerëzore kur keqkuptohemi nga dikush.

Krahason me rastin kur duart e tua lidhen, trupi dërgohet në burg dhe komuniteti të njeh si “shkelës i ligjit”.

Ka optimizëm, gjithmonë nëse shoqëria iu kërkon falje e pranohet personi ashtu siç ishte para ditës që akuza ia ndryshoi jetën. /Insajderi.com

Neuropsikiatri, Fahri Drevinja