
Java e fundit e gushtit ka shfaqur radhë të gjata të automjeteve në pikat kufitare Vërmicë-Morinë, njofton Insajderi.
Siç njoftohet, mbi 15 mijë kosovarë kanë kaluar përgjatë këtij kufiri vetëm në mëngjesin e sotëm, për të kaluar edhe vikendin e fundit të pushimeve verore drejt bregdetit shqiptar.
Kjo kolonë e krijuar pritet që të zgjatet edhe më shumë gjatë ditës.
Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës sa i përket hyrje-daljeve në këtë pikëkalim kufitar, gjatë fundjavës së kaluar më shumë se 31 mijë persona nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri.
Sipas Zyrës për Informim të PK-së, gjatë verës deri në 25 gusht 2020 në Shqipëri kanë kaluar kufirin 830 mijë qytetarë të Kosovës.
Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar, kjo shifër është më e lartë për afro 200 mijë persona, përkatësisht në këtë kohë të vitit 2019 kishin kaluar kufirin për në Shqipëri rreth 686 mijë persona. /Insajderi.com