Vetëm gjatë vitit 2020, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 221 raste të dhunës në institucione arsimore, ose në afërsi të tyre.
Ndërkohë, vetëm këtë javë kanë ndodhur dy raste të incidenteve, në të cilat janë përfshirë nxënës të mitur. Të hënën, një nxënës 15-vjeçar u vra në afërsi të shkollës së Mjekësisë në Prizren, pas përleshjes me thikë me disa nxënës të tjerë. E të martën, afër shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë, një nxënës i klasës së 9-të mbeti i lënduar nga një përleshje po ashtu me thikë, që e pati me një nxënës të një shkolle tjetër.
Policia ka bërë të ditur se gjatë vitit 2019 kanë qenë 490 raste të dhunës në shkolla ose në afërsi të tyre. Sipas Policisë, në uljen e këtyre rasteve ka ndikuar mbyllja e institucioneve arsimore që u bë vitin e kaluar si pasojë e pandemisë.
“Bazuar në statistikat e PK-së, Prishtina ndër vite figuron si vendi ku ka raste më të shumta të incidenteve në shkolla dhe përreth shkollave për shkak të numrit më të madh të banorëve/qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Kohën.
Shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë psikolog. Ndërkohë, Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur nëse planifikojnë që këtë vit ta shtojnë numrin e tyre në shkolla./Insajderi.com