Janë mbi 200 mijë vetura të paregjistruara në Kosovë të cilat po ia pamundësojnë vendit të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.
Përveç numrit të madh të veturave të paregjistruara, pengesë është edhe mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, transmeton Insajderi.
Megjithatë për të ulur numrin e veturave të paregjistruara Mazreku ka përmendur disa lehtësira, siç janë ndryshimi i pagesës së taksës në komunë si dhe të ndryshojë bartja e pronësisë.
“‘Shqetësues është se vitin e kaluar në muajin mars kur e kam publikuar lajmin e parë kanë qenë 128 mijë vetura në sistem të paregjistruara kurse para një muaji në publikimin e radhës që e kemi bërë ka dal që kanë 208 mijë e 100 vetura. Ajo çka kemi kërkuar edhe po kërkojmë që bashkërisht duhet të punojmë që ti heqim disa barriera për regjistrimin e veturave dhe ky numër të ndryshojë”.
“Ne e dimë që në këtë numër një pjesë e madhe janë nga viti 2000-2007. Heqja e kurzimeve, ndryshimi i pagesës së taksës në komunë, bartja e pronësisë të ndryshojnë dhe përfundimisht të krijojmë lehtësime sepse në këtë mënyrë e ulim numrin e automjeteve të paregjistruara”.
Mes tjerash Mazreku ka potencuar se këto probleme mund të zgjidhen në bashkëpunim me institucionet përkatëse, raporton EO.
“Kjo është problem sepse Kosova nuk është pjesë e OKB-së, ajo çka po bëjmë na nuk po duam zgjidhjen e problemit politik por po mendojmë se kemi zgjedhje alternative, dhe është që ne mi bë këto detyra dhe lehtësime në mënyrë që me ndërrua shifrat”.
Ndërsa, Byroja paguan 5 deri në 7 milionë euro dëme për veturat e paregjistruara. Mazreku tha se është kundër që të jetë kusht pagesa e gjobës në mënyrë që të mund të regjistrohet vetura.
“Me dinamikën që është duke punuar qeveria dhe ndryshimet janë të mundshme me ndodh gjatë këtij viti, dhe këto jo vetëm që ndikojnë në raport me jashtë por edhe me brenda për shkak se humbjet janë milionëshe për shtetin dhe industrinë e sigurimeve dhe 5 deri në 7 milionë euro paguajmë dëme për këto vetura”.
“Asnjëherë ne nuk jemi kundër pagesave së gjobave por jemi kundër kurzimit të gjobave në regjistrimin e veturave, dhe kemi thënë që ligji për automjete duhet me u ndryshuar, gjobat duhet me u hekë si kusht dhe ne kemi përmbarues”./Insajderi.com