
Mbi 26 mijë familje marrin ndihma sociale në Kosovë, ndërsa rajoni me më shumë familje që marrin ndihma sociale është rajoni i Mitrovicës me 5972 familje, ka bërë të ditur udhëheqësi i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Muhamet Gjocaj.
Ai ka thënë se “nevoja për ndihma sociale ndryshon nga muaji në muaj.
“Tani kemi mbi 26 mijë familje që marrin ndihmë sociale. Pra ka familje që iu ndalet ndihma, pasi që e kalojnë moshën. Pra, rritet numri i atyre që janë të aftë për punë”, ka thënë ai në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, është komunitet që merr më shumë pjesë në ndihma sociale, në krahasim me numrin e popullsisë, pasi që nuk mund që të gjejnë punë.
Gjocaj ka bërë me dije se në kuadër të përkrahjes nga MPMS, ka pasur edhe refugjatë që janë mbështetur.
“Në rajonin e Ferizajt marrin ndihma 4 mijë familje, nga rajoni i Gjakovës 1800 familje, nga rajoni i Gjilanit marrin ndihma 2700 familje, në Mitrovicës 5972 familje, në Pejës 2700 familje, ndërsa në kryeqytet familjet që marrin ndihmë sociale janë 6200 familje, në Prizrenit 2750 familje. Rajoni i Mitrovicës del se është rajoni me më shumë ndihma sociale”, ka treguar ai.