Saktësisht 26.669 maturantë sot do t’i nënshtrohen Testit të Maturës, i cili do të fillojë në ora 10:00 dhe do të përfundojë në ora 12:30, njofton Insajderi.
Testi i Maturës do të organizohet në 184 qendra të testimit, në 30 komuna të Kosovës dhe për mbarëvatjen e procesit janë angazhuar 2.568 administrues, 570 komisionerë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Testi i Maturës do të organizohet duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, ku në secilën klasë numri maksimal do të jetë 12 nxënës.
“Maturantët duhet të arrijnë në oborrin e qendrës se testimit nga ora 8:30 deri në orën 9:00. Nga ora 9:00 deri në 9:30 ata do të sistemohen në klasa, dhe pas vendosjes në klasa, deri në ora 10:00 do të bëhet ofrimi i udhëzimeve rreth testit dhe ofrimi i fletëpërgjigjeve nga ana e administruesve”, thuhet në njoftimin e ministrisë./Insajderi.com