Nga afro 25 mijë testime për COVID-19 që u kryen në shkolla prej shtatorit deri në dhjetor, 4 mijë e 55 rezultuan pozitive, njofton Insajderi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, më së shumti të infektuar pati mësimdhënës, ku nga 15.795 të testuar, 2.301 dolën pozitivë.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe u testuan 6.090 nxënës, ku 1.470 prej tyre ishin te infektuar me COVID-19, ndërkaq numri i personelit tjetër të shkollave që kanë rezultuar pozitivë është 284 nga 2.688 të testuar.
MASH-i në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se edhe në gjysmëvjetorin e dytë, që nis më 18 janar, pritet që mësimi të zhvillohet sipas 3 skenarëve të paraparë.
“Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASH-i, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj COVID-19, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera edhe për gjysmëvjetorin e dytë”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
Nërkaq nga pyetja qe KOHA i ka bërë Qeverisë nëse gjatë kësaj periudhe mund të ndërrohet vendimi për mbajtjen e mësimit, por zëdhënësja, Antigona Baxhaku, ka sugjeruar që për të t’i drejtohemi MASH-it.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se pandemia tashmë ka ndikuar që të ketë rënie të cilësisë në arsim.
“Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, fëmijët kanë humbje të konsiderueshme mësimore. Ata që e kanë ndjekur mësimin online vlerësohet që kanë humbur 25 për qind të vitit shkollor, ata që nuk e kanë ndjekur mendohet që i kanë humbur 40 për qind, ndërsa sa i përket kësaj periudhe prej shtatorit e këndej mendoj që janë bërë përpjekjet maksimale që fëmijët të jenë në shkollë dhe mësimi online të jetë opsion i fundit”, ka thënë ai./Insajderi.com