Mbi 50 për qind e fëmijëve kanë probleme me boshtin kurrizor. E tërë kjo për shkak të zvogëlimit të aktiviteteve fizike dhe ndryshimit të mënyrës së jetesës.
Rezultatet nga kontrollet sistematike që janë kryer në shtëpinë e shëndetit në Tetovë, tregojnë se një pjesë e madhe e nxënësve kanë probleme me deformimet në shpinë dhe rritjen e peshës, shkruan Gazeta Online Insajderi.
Mjeku specialist Aleksandër Kosteski, thotë se pajisjet elektronike kanë bërë që fëmijët të mos shoqërohen mes veti dhe të distancohen nga aktivitetet fizike.
Sipas tij, në të kaluarën fëmijët shumë pak kanë pasur probleme të kësaj natyre për shkak se nuk ka pasur pajisje elektronike, nuk ka pasur rrjete sociale, kurse tash në këtë kohë moderne fëmijët janë gjithnjë përpara këtyre pajisjeve duke shmangur aktivitete fizike.
”Mund të them se deri në vitet 2008/09, nga të gjitha kontrollet sistematikke që kryenim tek fëmijët në Tetovë kishim një përqindje prej 7 ose 8 për qind të deformiteteve tek ata. Tash kjo përqindje ka kaluar mbi 50 për qind, sepse fëmijët nuk kanë qëndrim të drejtë në trupin e tyre dhe e tërë kjo është pasojë e mos marrjes me aktivitete fizike”, thotë mjeku.
“Fëmijët tash më shumë merren me telefona celularë, me tablet të ndryshëm dhe nuk merren aspak me aktivitete sportive. Krahas kësaj, tek fëmijët kohëve të fundit vërehet edhe një rritje e peshës, kemi fëmijë që kanë tepër kilogram dhe kjo është pasojë e mos kontrollit të prindërve se çfarë ushqimi konsumojnë këta fëmijë”, pohon Kosteski.
Një rol të veçantë në këtë drejtim duhet të kenë prindërit, të cilët duhet që fëmijët e tyre t’i motivojnë që sa më shumë të merren me aktivitete fizike dhe sa më pak të qëndrojnë në pajisjet elektronike.
”Kjo kërkon një përkushtim më të madh sepse fëmijët duhet që të motivohen që të bëjnë aktivitete fizike dhe sa më pak të merren me telefona celularë apo tableta. Mendoj se ky është problem që sot kemi një përqindje kaq të lartë të fëmijëve që kanë probleme të ndryshme në boshtin kurizor. Poashtu edhe rrjetet sociale shumë kohë u marrin fëmijëve, prandaj duhet që prindërit të kenë një rol më aktiv me fëmijët e tyre”, thotë mjeku Aleksandër Kosteski.
Muajve të kaluar ishin ndërprerë kontrollet sistematike të fëmijëve për shkak të virusit Covid-19.
Mjekët apelojnë që prindërit dhe mjekët amë janë ata që duhet të vërejnë se ka ndryshime në trupin e fëmijëve.
”Prindërit çdo ditë duhet që të shikojnë se a ka ndryshime në trupin e fëmijës së tyre. Por, edhe mjekët amë duhet që në këtë drejtim më shumë të bëjnë kontrolle dhe nëse ka deformime atëherë duhet që t`i udhëzojnë për tek specialistët”, thotë mjeku Kostoski.
Sipas mjekëve, në mënyrë sistematike viteve të fundit ka rritje të numrit të fëmijëve që kanë probleme me deformimet në shtyllën kurrizore dhe në të ardhmen shifrat mund të jenë alarmante, prandaj edhe apelohet që prindërit dhe mësuesit të kenë më shumë kujdes dhe të bëjnë të pamundurën që fëmijët ti mbajnë larg rrjeteve sociale dhe pajisjeve elektronike./Insajderi.com