512 persona të moshës mbi 85-vjeçare janë vaksinuar kundër Coronavirusit për tri ditë në sallën “1 tetori” në Prishtinë, njofton Insajderi.
Niman Bardhi, koordinator në Qendrën e Vaksinimit në sallën ku po realizohet procesi i vaksinimit, ka treguar se vetëm gjatë së shtunës janë vaksinuar 62 persona.
Bardhi ka theksuar se vaksinimi i kësaj kategorie është duke shkuar mirë dhe është përcjell pa asnjë komplikim.
“Deri më tani janë vaksinuar 512 persona ndërsa deri në këto qaste janë 62 të vaksinuar dhe presim edhe të tjerë dhe situata është e qetë dhe shpresojmë se do të vazhdojë kështu edhe ditët në vijim”, është shprehur ai.
Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër Coronavirusit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra./Insajderi.com