Mbi 51 mijë vullnetarë eliminuan në Kosovë 130 deponi ilegale

Mbi 51 mijë vullnetarë eliminuan në Kosovë 130 deponi ilegale

Let’s Do It Kosova për të gjashtin vit me radhë ka shënuar në mënyrë të suksesshme aksionin e pastrimit në tërë Kosovën.

Mbi 51 mijë vullnetarë morën pjesë në aksionet e sotme të pastrimit, të cilat rezultuan me eliminimin e 130 deponive ilegale dhe grumbullimin e mbi 10 mijë thasëve me mbeturina.

Aksioni kryesor ka nisur në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit, ndërsa ka vazhduar gjatë tërë ditës edhe në komunat e tjera të Kosovës, ku numër i madh i vullnetarëve kontribuuan në pastrimin e Kosovës.

Në aksionet e sotme, numri më i madh i deponive është larguar në komunën e Istogut. Me 22 deponi të larguara, Istogu mban primatin për numrin më të madh të deponive të eliminuara. Ndërsa, në komunën e Gjakovës është angazhuar numri më i madh i vullnetarëve, mbi 6 mijë.

Këto dy komuna shpallen si më të suksesshmet për aktivitetet e organizuara në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” për vitin 2017. Falë kësaj, Let’s Do It Kosova së bashku me partnerët e saj do të rrisë angazhimet në investime konkrete në këto dy komuna.

Let’s Do It Kosova falënderon komunat e Kosovës për bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e dhënë për organizimin e aksioneve, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Meridian Corporation, Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), KFOR, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UNDP, misionin e OSBE-së në Kosovë, Agjensionin “Dita”, Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ndërmarrjet publike të pastrimit, Kompaninë “KAËA Group”, Kompaninë e telefonisë mobile “Vala” si dhe mediat për mbështetjen e vazhdueshme.

Let’s Do It Kosova shprehet falënderues dhe mirënjohës për të gjithë vullnetarët që u angazhuan në fushatën e këtij viti.

“Angazhimet e ditës së sotme, duke filluar nga përfaqësues institucional e deri te nxënësit e shkollave fillore janë tregues të qartë, se të gjithë kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë e një mjedisi të pastër” thuhet në njoftimin e dërguar.

Let’s Do It Kosova inkurajon të gjitha komunat që të vazhdojnë me angazhimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të mjedisit dhe shpreh gatishmërinë që të ofrojë ndihmën dhe kontributin për këtë çështje.