Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, njoftoi të premten se numri i stafit arsimor të vaksinuar kundër COVID-19 ka arritur në 55 mijë e 94.
Për dy javë, sipas Nagavcit, numri është rritur për 22 mijë e 216.
“Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë e IKSHP-së, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55 mijë e 94 derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29 mijë e 878”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, ministrja u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që të vaksinohen, “meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik”.
“Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike. Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni”.
Mësimdhënësit kanë qenë kategori me prioritet për vaksinim, në mënyrë që në shtator të fillojë procesi i rregullt mësimor./Insajderi.com