Mbi 57 milionë euro u shpenzuan për nëntë muaj për pagesa të veteranëve

Mbi 57 milionë euro u shpenzuan për nëntë muaj për pagesa të veteranëve

Mbi 57 milionë janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për pagesa të veteranëve të luftës gjatë nëntëmujorit të këtij viti. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shifër është rritur për 20 milionë euro apo 51 për qind.

Kjo ka bërë që skemat sociale të pësojnë një rritje prej 16 për qind apo 44 milionë euro më shumë sesa gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2017. Shpenzimet për skemat sociale kanë arritur në 321 milionë euro vetëm për 9 muaj, shkruan sot Koha Ditore.

Rritjen e shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale e ka parë si shqetësuese edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka alarmuar se Kosova mund të shkojë drejtë krizës fiskale për shkak se buxheti i saj nuk përballon një rritje kaq të shpejtë të shpenzimeve për këtë kategori.

Sipas raportit financiar për nëntëmujorin e këtij viti, një kopje që e ka siguruar gazeta “Koha Ditore”, gjatë nëntëmujorit të 2016-s për pagesa të veteranëve të luftës ishin shpenzuar 28.86 milionë euro, për periudhën e njëjtë të 2017-s janë shpenzuar 37.96 milionë euro, ndërsa gjatë këtij viti vlera e pagesave ka arritur në mbi 57 milionë euro.

Për pensionet bazë janë shpenzuar 86.83 milionë euro, për pensionet bazë të kontribut-dhënësve 71.10 milionë euro, për pensionet për persona me nevoja të veçanta 24.70 euro, për të verbrit 4.11 milionë euro. Bazuar në këtë raport për kategoritë e luftës janë shpenzuar edhe 29.83 milionë euro ndërsa për të burgosurit politik rreth 6.5 milionë euro.