71 fëmijë të prekur me COVID-19 janë trajtuar në njësinë për trajtimin e pacientëve me Coronavirus në kuadër të Klinikës së Pediatrisë, deri në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, transmeton Insajderi.
Luftën me këtë virus e humbi vetëm një fëmijë i cili kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku, ka treguar se fëmijët që po infektohen me COVID-19, kryesisht po e kalojnë me simptoma të lehta dhe nuk po kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Fatmirësisht numri i fëmijëve të prekur me COVID-19 është relativisht i vogël. Numri më i madh i tyre (fëmijëve të infektuar) po e kalojnë me shumë pak simptoma, shumë shpesh nuk po ka nevojë fare të kërkojnë ndihmë mjekësore. Mirëpo, përkundër asaj, kemi fëmijë të cilët kanë kërkuar hospitalizim. Në kuadër të Klinikës së Pediatrisë e kemi formuar njësinë e posaçme e cila merret me mjekimin e fëmijëve me COVID-19, në këtë njësi është caktuar stafi që punon si infermierë ashtu edhe i mjekëve. Deri në mesin e dhjetorit në Klinikën tonë kanë qenë 71 pacientë të prekur me COVID që kanë kërkuar hospitalizim. Fatmirësisht shumica e tyre kanë një ecuri të mirë, mirëpo kanë pasur nevojë për mjekim spitalor. Prej të gjithë fëmijëve (të infektuar) që i kemi pasur një fëmijë ka përfunduar me fatalitet, ka qenë një fëmijë i cili ka qenë me një sëmundje të rëndë kronike dhe ai fëmijë ka përfunduar me fatalitet”, tha ajo, raporton KP.
Fëmijët që u infektuan me koronavirus ishin të moshave të ndryshme, madje trajtim spitalor pasi ishte prekur me COVID kishte kërkuar edhe një bebe dymuajshe.
“Moshat janë të ndryshme të fëmijëve që kanë ardhur edhe që kanë pasur nevojë për hospitalizim. Fëmija më i ri që e kemi pasur të hospitalizuar që ka qenë COVID pozitiv ka qenë 2 muajsh, kurse fëmija me moshën më të shtyrë ka qenë 15-16 vjeçare. Moshat kanë qenë të ndryshme, kanë dominuar moshat nga 5, 10 deri në 12-13 vjeç sesa moshat më të reja. Simptomatologjia është mjaftë e lehtë, fatmirësisht manifestohet në formë të një infeksioni viral, ndonjëherë është përcjellë me vjellje e diarre që ka qenë shumë e shpeshtë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se edhe stafi mjekësor dhe infermierët kanë qenë të infektuar me COVID-19. Vetëm në muajin dhjetor, ajo tha se janë të infektuar gjashtë mjekë dhe shtatë infermierë. /Insajderi.com