Me gjithë dyshimet e prokurorisë për manipulime, veteranët e UÇK-së do të vazhdojnë t’i marrin pensionet e tyre edhe vitin e ardhshëm. Madje shuma e ndarë nga institucionet është mjaftë e madhe.
Mbi 63 milionë euro i kushtuan buxhetit të Kosovës pensionet e veteranëve për dhjetë muaj të vitit 2018,.
Kjo është bërë e ditur në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale.
36 mijë e 794 veteranë përfituan pensione në muajin janar të këtij viti. E të njëjtën periudhë ish-luftëtarët e UÇK-së i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 6 milionë e 297 mijë euro.
Megjithatë, nga muaji në muaj, numri i atyre që përfituan pensione në emër të statusit të veteranit u rrit.
Në shtator, 38 mijë e 184 persona përfituan pensione. Para të shpenzuara ishin 6 milionë e 439 mijë euro.
Në total për dhjetë muaj, veteranët i kushtuan shtetit të Kosovës saktësisht 63 milionë e 533 mijë e 312 euro.
E për vitin 2018 është paraparë që shuma për këtë kategori të rritet.
Nga MPMS është bërë e ditur se për vitin 2019, buxheti i kërkuar për veteranët është 80,3 milionë euro.
Ndërkaq që thonë se ende nuk ka konfirmim zyrtar se sa do të jetë shuma e saktë që do të ndahet përfundimisht.
Theksojmë se në lidhje me rastin “Veteranët”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit të Luftës.
E njëjta është kthyer prapa nga Gjykata Themelore e Prishtinës për plotësimet e nevojshme.