Mbi 940 persona me statusin e viktimës së dhunës seksuale, 70 aplikuan brenda vitit

Mbi 940 persona me statusin e viktimës së dhunës seksuale, 70 aplikuan brenda vitit

70 persona kanë aplikuar gjatë këtij viti për njohjen e statusit e viktimës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pranë komisionit qeveritar për tre vjet janë paraqitur më shumë se një mijë e 400 lëndë, të cilat janë dëshmi e krimeve të luftës. Kjo adresë në të shumtën e rasteve është vendi i parë, ku viktimat arrijnë të rrëfejnë krimin që përjetuan.

Në vitin e tretë të formimit të këtij komisioni, nuk ka numër të madh të lëndëve të cilat janë paraqitura për trajtim. Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj thotë se numri total i aplikimeve është mbi 1400 raste, ndërsa deri më tani I është njohur statusi 943 rasteve.

“Kemi numër total të 1463 aplikimeve. Për këtë vit, kemi 70 aplikacione. Prej tyre, të trajtuara deri më tani, u kemi njohur statusin 943 rasteve. Komisioni përfundimisht i ka trajtuar 1290 raste. Brenda këtij numri kemi edhe prej tyre të refuzuara, prej tyre 35 raste burrave u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, deklaron ajo për KP.

Begaj shton se në rënien e numrit të aplikimeve mund të ketë ndikuar pandemia.

“Janë ndoshta edhe rrethana të ndryshme që kanë ardhur deri këtu. Por që ne besojmë që për këto vjet, muaj që kanë mbetur të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale duhet të marrin forcë edhe t’i drejtohen komisionit. Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë këtë legjislacion në këtë format për hir të tyre, për të njohur statusin”, thotë ajo. /Insajderi.com