Mbi gjysmë miliard euro borxhe bizneseve e qytetarëve – Disa punëtorë të sektorit publik paguhen pa shkuar fare në punë

Mbi gjysmë miliard euro borxhe bizneseve e qytetarëve – Disa punëtorë të sektorit publik paguhen pa shkuar fare në punë

Mbi gjysmë miliard euro ka arritur borxhi i shtetit ndaj kompanive private dhe qytetarëve të Kosovës, njofton Insajderi.

Derisa ky borxh çdo herë e më shumë po rritet, kështu po kërcënohet seriozisht buxheti i shtetit.

Auditori i përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Besnik Osmani thotë se janë tri kërcënime serioze që po i bëhen buxhetit të shtetit, nga borxhet e mëdha të shtetit ndaj qytetarëve dhe bizneseve, nga rënia e të hyrave buxhetore dhe nga borxhi i jashtëm.

Osmani shprehet se duke i llogaritur obligimet sipas të gjitha bazave, operatorët ekonomikë dhe qytetarët kanë pretendime financiare ndaj Qeverisë mbi 556 milionë euro, që sipas tij, ky trend është në rritje.

“Nëse këto tria nuk menaxhohen mirë, buxheti kërcënohet në mënyrë serioze dhe të bëhet i aftë për të financuar institucionet e shtetit. Fatkeqësisht dy të fundit, borxhet kundrejt qeverisë nga bizneset dhe qytetarët po rriten prej 16 përqind në krahasim me vitin paraprak. Ky është një tregues shumë i dëmshëm, por njëkohësisht është edhe një alarm për institucionet që kanë përgjegjësi ta përmirësojnë këtë. Përkundër kësaj është treguesi tjetër që po rriten edhe borxhet e qeverisë ndaj bizneseve. Prandaj, me efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe të përmbaruesve, ne do të jemi në një pozitë kur qeveria duhet t’i paguajë këto borxhe, derisa në anën tjetër është në pozitë që nuk mund të inkasosh dhe në anën tjetër duhet t’i paguash. Në këtë formë natyrisht që vjen kërcënimi. Këto borxhe kanë kaluar shifrën prej 500 milionë euro. Borxhi i jashtëm, është një borxh diku pak mbi 1 miliard euro”, tha Osmani.

Pjesa dërmuese e borxheve të pa mbledhura ka të bëjë me ATK-në dhe Doganën, të cilat së bashku kanë 404 milionë borxhe të pa mbledhura apo rreth 64% të shumës totale.

Auditori ka ngritur edhe një shqetësim tjetër, për disa organizata dhe ndërmarrje publike që japin paga për punëtorë pa shkuar në punë fare.

“Sa i përket organizatave buxhetore të cilat financohen direkt nga buxheti i shtetit kemi një numër të caktuar të shkeljeve për të cilat ne kemi dhënë diku 950 rekomandime, që në shumicën e institucioneve janë të natyrës së njëjtë. Nëse marrim kategorinë e pagave ajo që ne kemi evidentuar është se kemi punësime të cilat janë lidhur kontrata në vepër dhe nuk janë respektuar procedurat e aplikimit që lidhen me transparencën dhe konkurrencën dhe pagat e tyre janë bërë nga kodet buxhetore që kanë qenë të gabuara. Te pagat po ashtu kemi raste të tjera kur janë paguar nga lista e pagave që është jashtë kriterit ligjor apo kemi raste të tjera kur janë paguar punëtorët, institucionet për të cilat ata punojnë dhe marrin pagat nuk kanë qenë në gjendje para auditorëve tonë të dëshmojnë se ata punëtorë kanë kryer punën e tyre qoftë edhe në kërkesa që kanë të bëjnë me vajtje ardhje në punë”, tha Osmani.  /Insajderi.com