Afër tetë mijë raste aktive me COVID-19, të mërkurën pritet të arrijnë pesë mijë vaksina

Afër tetë mijë raste aktive me COVID-19, të mërkurën pritet të arrijnë pesë mijë vaksina

Me 101 rastet e konfirmuara të hënën, numri i rasteve aktive me Coronavirus në Kosovë ka shkuar në shtatë mijë e 983, njofton Insajderi.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që nga 13 marsi kur u konfirmuan dy rastet e para, gjithsej 105 mijë e 636 persona janë infektuar me këtë virus, prej të cilëve dy mijë e 187 kanë përfunduar me vdekje.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 421 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 95 mijë e 466 raste.

Ndryshe, një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mes javë, ka bërë të ditur Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër Coronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se pesë mijë vaksina do të arrijnë në vend gjatë së mërkurës./Insajderi.com