Ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin, ka thënë se për një mbledhje të Bordit ata kanë marrë mbi tre mijë euro si kompensim, njofton Insajderi.
I pyetur nga anëtari i këtij Komisioni, Hekuran Murati, se si përcaktohej depozita e sigurisë, ai ka thënë se ato janë vendosur nga viti 2017, duke theksuar se gjatë kohës së tij nuk ka pasur shitje me procedurë të negociuar.
“Shitje me procedurë të negociuar s’ka pasur gjatë punës sime. Shitjet kanë ndodhur pas periudhës sime. Bizneset kanë bërë kërkesë që t’u ofrojmë tokë – pronë. Kur nuk u kemi dhënë ndihmë, ata kanë blerë tokë private”, ka thënë Gashi.
“Ne jemi paguar për një gjashtëditësh të punës sonë, 400 euro në ditë. Për një mbledhje Bordi i ka marrë mbi 3000 euro”, është shprehur tutje Gashi derisa u pyet për kompensimet shtesë nga Murati.
Ndërkaq, deputeti Sejdi Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka pyetur Gashin se pse ka dhënë dorëheqje nga AKP-ja.
Ai tha se arsyeja ka qenë shkarkimi i drejtorit në atë kohë.
Ndërsa i pyetur nga Bekë Berisha i AAK-së për deklaratën e ish-ministrit Ali Sadiku se ka pasur dokumente që janë djegur, Gashi ka thënë se ka dëgjuar diçka të tillë.
“Me thënë të drejtën, si nëpër mjegull diçka e tillë e di që ka ndodhur, por s’ka ndonjë rast që e di për ndonjë vendim që kemi marrë e që ka munguar dokumentacion. Në kohën tonë për hir të transparencës i kemi publiku të gjitha shitjet që kanë ndodhë atëherë me leje të autoritetit përkatës”, tha ai. /Insajderi.com