Imagjinojeni pak: Kancelarja federale Merkel, po formon kabinetin e saj. Ajo nuk është e kënaqur plotësisht me propozimet. Kap telefonin, telefonon në Vjenë dhe katër austriakë udhëtojnë dhe bëhen zëvendësministra.
E pamendueshme? Në Gjermani po. Në Shqipëri jo: Edi Rama, kryeministri ekscentrik i vendit, ka emëruar katër zëvendësministra kosovarë në kabinet, tre prej tyre gra.
Sa për kujtesë, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe u njoh nga Shqipëria të nesërmen. Bëhet fjalë për dy shtete. Por si funksionon kjo transfertë? Zëvendësministrat kanë një pasaportë shqiptare krahas asaj shqiptare? Apo një i huaj mund të marrë post qeveritar në Shqipëri, mjafton të jetë shqiptar etnik?
Që Edi Rama i ka në mendje shqiptarët përtej kufirit, e tregoi në gusht. Ai e zëvendësoi ministrinë e Integrimit Evropian dhe krijoi një ministri të Shtetit për Diasporën. Ajo merret jo vetëm me shqiptarët jashtë vendit, por me të gjithë shqiptarët etnikë. Të tillë janë ata shtetas të Maqedonisë, Malit të Zi apo Kosovës fqinje. Ky koncept pak i çuditshëm folklorik është kopjuar nga Serbia, që në vitet 1990 shqetësohej në mënyrë intensive për serbët jashtë Serbisë. Shumë gjak u derdh.
Rama, mesa duket e sheh veten si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe nuk dëshiron të jetë shumë i lidhur me kufijtë ekzistues. Dhe tani, nga ana tjetër e kufirit, ja ku vjen edhe presidenti Hashim Thaçi.
Bashkimi Evropian po u mohon qytetarëve të Kosovës- ndryshe nga ata të Shqipërisë- lëvizjen pa viza, pa përmbushjen e kushteve. A mund të na jepni pasaporta shqiptare ne kosovarëve, pyet Thaçi Tiranën.