Qysh në mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë së re, kryeministri Albin Kurti ka përmendur krizën shëndetësore, për të cilën tha se duhet vepruar me urgjencë të ulen rastet dhe vdekjet e reja si rezultat i COVID-19, njofton Insajderi.
Siç bëri të ditur ai në këtë mbledhje të qeverisë, balancimi i këtyre rasteve duhet të bëhet përmes një plani konkret.
“Kërkohet punë dhe rezultate sa më të shpejta. Rezultati i këtij kabineti varet nga puna që bëni ju dhe ekipi që drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim çdo kohë por edhe veprim. Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime konkrete që i keni identifikuar me vite. Tash është koha që të dëshmoni para qytetarëve që në pozitat që jemi vendosur jemi meritor”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet vepruar shpejtë që të ndalen humbjet financiare.
“Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të përformancës, aty ku ka shkelje duhet vepruar shpejtë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti që e ka vizion të udhëheqë”, ka thënë ai.
“Në këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku menjëherë do i marrim veprimet e nevojshme siç i sheh ky kabinet i yni qeveritar”, ka thënë ai. /Insajderi.com