“Mbledhja e Prevallës” – Për pesë orë takim asnjë marrëveshje

 “Mbledhja e Prevallës” – Për pesë orë takim asnjë marrëveshje

Kanë kaluar më shumë se pesë orë që kur ka filluar mbledhja gjithë ditorë e Qeverisë së Kosovës. Mbledhje kjo e cila mbahen në hotel “Sharri”, në Prevallë.

Kabineti i Qeverisë Kurti ka marrë rrugën për në Prevallë që në orët e hershme të mëngjesit. Krejt kjo për të arritur një dakordim për planin qeverisës 2020-2023. Kjo mbledhje filloi në orë 9 të mëngjesit, shkruan Insajderi.

Por edhe pas pesë orësh takim ende nuk është finalizuar asgjë nga këto bisedime. Kështu bëri të ditur zëvendëskryeministrat i parë, Avdullah Hoti.

Zëvendëskryeministri Hoti, tha se dallimet ndërmjet partnerëve të koalicionit ende ekzistojnë, derisa ka bërë të ditur se dy liderët pritet të takohen ditët në vijim.

“Ajo që është esenciale është që ne të ruajmë partneritetet me miqtë tanë ndërkombëtarë, të realizojmë programin tonë qeverisës, të marrim përsipër agjendën shtetërore të dialogut sepse kemi legjitimitet qytetar për këtë çështje”, ka deklaruar Hoti për KTV-në.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Haki Abazi, është shprehur se po punohet në kthimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës.

“Sot siç jeni të njoftuar, qeveria e Kosovës, kabineti është mbledhur sipas vendimit në nivel të qeverisë që të vazhdojmë punën. Është një ditë pune që e ka kthyer marrëveshjen e koalicionit në program qeverisës dhe në pjesën e parë të ditës dëgjuam të gjithë ministrat duke folur për procesin e skanimit, do të thotë vlerësimin e gjendjes në të cilën kanë marrë ministritë dhe fuzionimin e ministrive brenda strukturës së re të ministrive”, tha Abazi.

Tutje, Abazi ka shtuar se puna do të vazhdojë në pjesën e dytë të ditës ku do të flasin për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme të ministrive.

“Dita do të vazhdojë me karakter punues, në pjesën e dytë të ditës do t’i dëgjojmë ministrat përsëri për prioritetet afatshkurta dhe afatmesme. Përveç se ministrat të tregojnë për prioritetet, gjithashtu të shikojmë ku janë pikat e bashkërendimit që do të ndodhin brenda dy ministrive ose më shumë dhe menjëherë të fillohet koordinimi”, tha Abazi për lajmi.net.

Ky takim pritet të zgjasë deri në orët e vona./Insajderi.com