Mbledhja e qeverive Kosovë – Maqedoni e Veriut, më 25 janar

Mbledhja e qeverive Kosovë – Maqedoni e Veriut, më 25 janar

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut është caktuar të mbahet më 25 janar të vitit 2021, transmeton Insajderi.

Ministrat u informuan sot lidhur me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të këtyre dy qeverive.

Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimi, e cila tha se kjo mbledhje do të mbahet në Shkup.

“Jemi dakorduar që mbledhja e përbashkët të mbahet më 25 janar 2021, në Shkup, në hapësirat e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ajo.

Në mbledhjen e mbajtur sot nga ekzekutivi është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për kalimet e përbashkëta kufitare Han i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, si dhe nismën për marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu deklaroi se krejt kjo po bëhet në mënyrë që të krijohen lehtësi në procedurat dhe masat që ndërlidhen me kontrollet kufitare të menaxhimit ndërkufitar. /Insajderi.com