Mblidhet Komiteti për Vlerësimin e Situatës me Coronavirus

Mblidhet Komiteti për Vlerësimin e Situatës me Coronavirus

Sot (e enjte) në orën 11:00 do të mbahet takimi i radhës i Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, ku do të diskutohet situata epidemiologjike në vend, njofton Insajderi.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për medie, ka bërë të ditur se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

“Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, nuk dihet nëse do të ketë shtrëngim të masave anti-COVID, ndonëse javët e fundit numri i të infektuarve në vend ka shënuar rritje të ndjeshme. Por, sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja aktualisht është e menaxhueshme dhe ka kapacitete spitalore të mjaftueshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar gjithsejtë 568 raste pozitive me COVID-19, katër të vdekur, ndërsa janë shëruar 295 pacientë./Insajderi.com