Presidentja e përkohshme, Vjosa Osmani, ka pranuar telegrame urimi për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella, transmeton Insajderi.
Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.
Ndërsa, presidenti gjerman Steinmeier në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.
Edhe presidenti francez Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e tij.
Ndërkaq, presidenti italian Mattarella gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13 vjetorin e Pavarësisë duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin. /Insajderi.com