Mbrojtja e Kadri Veselit i ka kërkuar edhe njëherë gjyqtarit të procedurës paraprake të lirojë përkohësisht ish-kryetarin e Kuvendit me apo pa kusht, transmeton Insajderi.
Në dokumentin argumentues dërguar gjyqtarit nga mbrojtja e Veselit thotë se prokuroria i ka paraqitur si provë shtesë intervistën e sekretarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, e cila intervistë sipas mbrojtjes nuk është relevante për të mbajtur në paraburgim Veselin.
Tutje mbrojtja e Veselit që përfaqësohet nga avokati britanik Ben Emmerson ka listuar dy kushte që ish-kryetari i PDK-së të mbrohet në liri.
Ndryshe kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith ka kërkuar që ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës t’i vazhdohet paraburgimi ngase ekziston rreziku i ndikimit në procesin gjyqësor.
“Në rastin e kaluar, kur Avokati i Mbrojtjes i shkroi Drejtorit të Policisë së Kosovës (“Drejtorit”), ai nuk propozoi listë të hollësishme të kushteve. Dërgesa elektronike e 31 majit 2021, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e vlerëson si përsëritje të një “vullneti të përgjithshëm për zbatimin e urdhrave juridikë”, ishte shkruar përmes një mënyre të një përgjigje specifike ndaj një letre nga Avokati, e datës 26 maj 2021, në të cilën ai i shpalosi kushtet e hartuara pas vëzhgimeve të bëra nga Dhoma e Apelit.Në këtë mënyrë, përgjigjja pohuese e Drejtorit ndaj një liste të kushteve të propozuara, që drejtpërdrejt e adreson justifikimin e vetëm të vërtetë për ndalimin e vazhduar të tij (më saktësisht, rreziku i komunikimeve të fshehta me përkrahësit) është goxha qartazi ndryshim i rrethanave. Gjykatësi i Procedurës Paraprake do të sjellë ndër mend se nuk ka vetëm supozim të pafajësisë, por supozim të lirisë. Këto dy supozime duhet të hidhen poshtë me qëllim që të justifikohet ndalimi i vazhduar. Nëse shkurtësia e përgjigjes së Drejtorit kërkon elaborim të mëtejmë, Mbrojtja do të paraqesë me respekt që përgjegjësia tani bie te Gjykatësi i Procedurës Paraprake për të kërkuar çfarëdo qartësimi të nevojshëm sipas procedurës në Rregullën 198. Nëse është e nevojshme, Drejtorit duhet t’i kërkohet që të komentojë, qoftë me pohim apo negativisht, rreth zbatueshmërisë së secilës prej kushteve të propozuara”, thuhet në kundërpërgjigje.
Për publikimin e dosjeve të cilat supozohen se janë të Gjykatës Speciale ishin arrestuar drejtuesit e veteranëve, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj./Insajderi.com