Mbrojtja e përdor një deklaratë të Albin Kurtit për lirimin e Rexhep Selimit

Mbrojtja e përdor një deklaratë të Albin Kurtit për lirimin e Rexhep Selimit

David Young, avokat i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka përdorur një deklaratë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kërkesën e tij parashtruar Gjykatës Speciale në Hagë për lirimin e përkohshëm të klientit të tij, njofton Insajderi.

Teksa ka arsyetuar se nuk ekziston rreziku i arratisjes së Selimit në rast se ai lihet i lirë, Young ka shkruar se Kurti kishte thënë veprimtaria e Selimit është karakterizuar gjithmonë me nder dhe integritet.

“Rreziku i arratisjes. Z. Selimi është një figurë publike që është i njohur në të gjithë Kosovën si politikan në partinë politike Vetëvendosje dhe aktualisht shërben si anëtar i Kuvendit të Kosovës në emër të asaj partie, ku është gjithashtu Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Siç shpjegohet nga Z. Albin Kurti, udhëheqësi i partisë politike më të madhe të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, veprimtaria patriotike dhe profesionale e Z. Selimi është karakterizuar gjithmonë nga përkushtimi i plotë, nderi dhe integriteti në ushtrimin e detyrave të tij”.

“Këto detyra kanë qenë thelbësore, duke filluar me pozicionin si Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999-2000), ajo e Komandantit të Akademisë së Mbrojtjes (2000-2003), dhe shumicën e kohës, ajo e fundit e deputetit të partisë politike Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar avokati.

Ai ka kërkuar që Selimi të lirohet përkohësisht me apo pa kusht. Po kështu, Young ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të vendos ta mbajë një seancë dëgjimore për këtë çështje më 16 dhjetor.

Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale./Insajderi.com