Mbyllen dy lokale dhe 30 të tjera gjobiten në Prizren e Gjakovë për mosrespektim të masave

Mbyllen dy lokale dhe 30 të tjera gjobiten në Prizren e Gjakovë për mosrespektim të masave

Dy lokale janë mbyllur dhe 30 të tjera janë gjobitur mbrëmjen e së premtes nga Inspektorët sanitarë të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, për mosrespektim të masave anti-COVID në komunën e Prizren dhe atë të Gjakovës.

Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV, në një përgjigje për Insajderi-n ka thënë se bizneset janë gjobitur për shkak të mosruajtjes së distancës në tavolina si dhe mosrespektimit të orarit të punës deri në orën 22:00.

“Mbrëmë në Prizren dhe Gjakovë, Inspektorati Sanitar i AUV-it ka gjobitur 30 lokale dhe dy janë mbyllur. Gjatë kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti-COVID sipas Vendimit të Qeverisë 01/07, për moskrijim të kushteve për respektim të masave kundër COVID-19, si dhe ruajtjes të distancës shërbim në tavolina për vetëm katër persona dhe në disa raste për shkelje të orarit të punës, në të cilin parashihet që operatorët ekonomik lejohet të punojnë vetëm deri në ora 22:00, AUV ka vepruar në bazë të ligjit”, ka njoftuar Thaçi.

Sipas tij, dy lokalet e mbyllura janë rast i përsëritjes së shkeljeve të masave.

“Dy lokale janë mbyllur si raste përsëritëse të shkeljes së masave. Kontrollet strikte do të vazhdojnë, sepse vetëm duke respektuar masat ekonomia jonë mund të qëndrojë e hapur dhe në të njëjtën kohë ruhet edhe shëndeti publik”, ka thënë ai./Insajderi.com