Zgjedhjet presidenciale në Serbi janë mbyllur në orën 20:00, teksa autoritetet zgjedhore kanë thënë se nuk kanë regjistruar asnjë parregullsi serioze gjatë votimit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka thënë se ka pasur vetëm probleme të vogla, që janë rregulluar menjëherë nga zyrtarët në qendrat e votimit, raporton AP.
Më herët gjatë ditës, Policia serbe ka thënë se një njeri i dehur është arrestuar për shkak se ka shqyer një fletëvotim gjatë zgjedhjeve të së dielës.
Në anën tjetër kryeministri aktual serb dhe kandidati potencial për t’i fituar zgjedhjet presidenciale në Serbi, Aleksandar Vuçiq është nisur drejt qendrës së numërimit të votave nga ku ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shpallë siç tha ai “fitoren e madhe”.
Vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve kanë raportuar për përpjekje për blerje të votave, dhe për njerëz që janë munduar të votojnë pa dokumente identifikimi, por kanë thënë se parregullsitë kanë qenë incidente të izoluara, që nuk kanë ndikuar në procesin e votimit.
Serbët kanë votuar për president të ri të dielën, teksa kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq, shihet favorit i qartë për të fituar, përkundër paralajmërimeve të opozitës për shkallën e dominimit të tij në vendin ballkanik.
Sipas shumicës së anketave, Vuçiq, 47-vjeçar, pritet të fitojë që në rrethin e parë të votimit, me më shumë se 50 për qind të votave.
Rezultatet e para preliminare pritet të bëhen publike nga autoritetet zgjedhore pas disa orësh.