Mbyllen vendvotimet në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore

Mbyllen vendvotimet në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore

Ka përfunduar në orën 19:00, procesi i votimit në dy komunat e Kosovës ku sot po zhvilloheshin zgjedhjet komunale, në atë të Podujevës dhe në Mitrovicën Veriore, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në ora 15:00 në Komunën e Podujevës kanë votuar 26 mijë qytetarë apo 29.76 për qind. Ndërsa, në Veri të Mitrovicës kanë votuar 30.3 për qind e qytetarëve apo 7 mijë e 62 votues.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Valdete Daka ka thënë se nuk kanë pranuar informacione për ndonjë parregullsi dhe se procesi i votimit ka duke vijuar normalisht.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%”, tregoi Daka.

Në ora 19:30 KQZ do të ketë konferencën e fundit sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. /Insajderi.com