Mbyllet për publikun seanca për dy zyrtarë policorë dhe të tjerët që po akuzohen për rrëmbim

Mbyllet për publikun seanca për dy zyrtarë policorë dhe të tjerët që po akuzohen për rrëmbim

Seanca në të cilën kërkohet të caktohet paraburgimi ndaj dy zyrtarëve policorë, Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, që akuzohen për veprën penale të rrëmbimit, është propozuar të mbahet mbyllur për publikun, transmeton Insajderi.

Këtë propozim e bëri avokati Gazmend Halili, nën arsyetimin që të ruhet dinjiteti dhe të mos cenohet interesi i të pandehurve.

“Prokuroria në këtë çështje konsideron se ka prova me të cilat mund të cenohet dinjiteti i të pandehurve dhe bashkë me të edhe i të dëmtuarve, ndaj propozoj që seanca të jetë e mbyllur për publikun”, tha avokati Gazmend Halili.

Sipas tij, lejimi i publikut nuk i shërben kësaj seance, por i njëjti shkakton dëme të pariparueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Agim Ademi ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit duke e mbyllur kështu seancën dëgjimore dhe duke përjashtuar publikun. /Insajderi.com