Mbyllet përsëri portali i ISIS-it në shqip

Mbyllet përsëri portali i ISIS-it në shqip

Sajti në të cilin ISIS drejtohej në gjuhën shqipe është mbyllur. Platforma online e blogjeve, “Wordpress” e ka marrë këtë vendim për shkak se janë shkelur rregullat e vendosura nga kjo platofromë, raporton Insajderi.

Sajti “hilafeti.wordpress” nëpërmjet së cilës ISIS në gjuhën shqipe jepte lajme dhe mesazhe duke treguar se cilat kanë qenë të arriturat ose sukseset e organizatës terroriste është mbyllur.

Ky sajt ishte shuar edhe njëherë në fillim të këtij muaji por ishte riaktivizuar vetëm pak kohë pasi ishte mbyllur nga autoritetet ndërkombëtare.

Kur e kishin rikthyer faqen, ISIS kishte publikuar komunikata për sulmin në Daka të Bangladeshit, ku thuhet se ajo që do të vijë do të jetë edhe më e ashpër dhe e dhimbshme.

Përpara kësaj në këtë faqe ISIS kishte uruar edhe për sulmin terrorist në Bruksel dhe kishte bërë thirrje për xhihad gjatë Ramazanit./Insajderi.com