Banorët e lagjes Dardania kanë ngritur shqetësimin e tyre, pasi dikush në mënyrë të paautorizuar ka bllokuar një rrugë, e cila u mundësonte fëmijëve të kësaj lagje të shkonin në shkollë në mënyrë shumë të sigurt dhe pa iu ekspozuar trafikut të ngjeshur dhe trotuareve të zëna të Prishtinës.
Në një bisedë për Gazetën Express, kryetari i Këshillit të kësaj lagjeje, Safet Kamberi, ka thënë se dikush e ka bërë këtë gjë me tendencë, dhe se tani fëmijët po detyrohen të marrin një rrugë tjetër rreth 2 kilometra të gjatë.
Ai thotë se për këtë gjë e kanë njoftuar edhe Komunën e Prishtinës, megjithatë ende nuk është ndërmarr ndonjë veprim.
“Krejt bota hapë rrugë, ndërsa ne mbyllim rrugë. Kjo rrugë e ka vështirësua lëvizjen e lirë të nxënësve dhe qytetarëve, duke i rrezikuar nxënësit e kësaj shkolle, janë të obliguar nxënësit e kësaj lagje të sillen rreth dy kilometra, për të pasur qasje në shkollë, për 30 metra mbyllje tê kësaj rruge, pasi që kjo rrugë është mbyllur pa ndonjë vendim te drejtorisë së shërbimeve publike”, ka thënë ai.
Kamberi ka treguar se kanë folur edhe me autoritetet e komunës së Prishtinës, të cilët kanë thënë se do të marrin masa konkrete lidhur me këtë problem të banorëve të kësaj pjese.
Megjithatë rruga edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet e mbyllur.
“Banorët e kësaj lagje presin veprimet konkrete për tu hapur kjo rrugë e cila na ka vështirësua lëvizjen e lirë , mos ti rrezikojmë fëmijët tanë edhe ashtu nuk kemi lëvizje të lirë nëpër trotuare për nxënës. Banorët e kësaj lagje, kërkojnë urgjentisht të hapet kjo rrugë. Kjo rrugë ende është e mbyllur”, ka përfunduar ai.