Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se do të bëhen publike shpenzimet për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë, transmeton Insajderi.
Siç bëhet e ditur, pas kërkesave të marra kjo ministri ka ndarë afër gjysmë milionë euro për mbrojtjen juridike të katër personave të akuzuar nga Specialja, derisa ka njoftuar se do ta ndryshojë vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, që nuk lejonte dhënien e detajeve për mjetet që do të ndahen.
Ministria e Drejtësisë thotë se do të ndryshojë vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili deri më tani nuk ka lejuar që të dhënat e tilla të jenë të qasshme për publikun.
“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur shumë kërkesa për publikimin e shpenzimeve veç e veç për mbrojtjen juridike të personave që akuzohen pranë Dhomave të Specializuara. Siç jeni në dijeni, interpretimi i zyrës ligjore të Ministrisë është që vendimi i marrë në kohën e Haradinajt nuk lejon qasje. Në këtë drejtim, ministrja Haxhiu ka qenë në konsultime me Zyrën e Kryeministrit dhe duke pasur parasysh obligimin që kemi për transparencë në shpenzimet e parasë publike, shumë shpejt do të ketë veprime konkrete në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Kohën.
Duke mos dhënë detaje shtesë, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se për mbrojtjen juridike të katër personave, ka ekzekutuar afro gjysmë milioni euro.
“Lidhur me kërkesat e bëra, ju njoftojmë se pas verifikimit të tyre nga Njësia përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë, Komisioni i ka shqyrtuar dhe pas konstatimit se kërkesat i plotësojnë kriteret përkatëse, ka aprovuar 4 kërkesa të parashtruara nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara. Shuma e mjeteve financiare të ekzekutuara për 4 kërkesat e parashtruara nga avokatët mbrojtës është 464,600.00 euro”, ka thënë kjo ministri. /Insajderi.com