Ministria e Drejtësisë njofton se Pakoja e Projektligjeve kundër Korrupsionit është drejt finalizimit dhe se në kuadër të saj, të mërkurën dhe të enjten do të mbahet punëtoria dy ditore për Projekt Ligjin për Deklarim, Prejardhje dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve Publik, përcjell Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftim, “fokusi i diskutimeve po zhvillohet në çështjet që janë identifikuar si sfida dhe mangësitë e ligjit ekzistues me theks të veçantë lista e deklaruesve të pasurisë, ku do të përfshihen edhe kategori të reja, deklarimi online, masat ndëshkuese dhe obligimi për deklarim të prejardhjes së pasurisë”.
“Në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve përkatëse, partnerët ndërkombëtarë si dhe përfaqësues nga shoqëria civile”, thuhet në kumtesë.
“Krahas finalizimit të Projekti Ligjit për Agjencinë për Parandalimin të Korrupsionit i cili shumë shpejt do të procedohet për në Qeveri dhe pastaj në Kuvend, ky projekt ligj, do të procedohet për konsultime publike”.
Punëtoria mbështetet nga Zyra e UNDP-së në Kosovë./Insajderi.com