Të hënën e 1 shkurtit do të firmoset vendosja e raporteve diplomatike ndërmjet Kosovës e Izraelit, njofton Insajderi.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se kjo të bëhet me një ceremoni solemne virtuale.
“Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm”, ka shkruar ajo në Facebook.
Formalizimi i marrëdhënieve diplomatike vjen disa muaj pasi shteti hebre e njohu pavarësinë e Kosovës.
Kjo u bë e mundur gjatë 4 shtatorit në Uashington ku në marrëveshjen ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë u çek njohja e Kosovës nga Izraeli.
Presidenti i atëhershëm Donald Trump, këtë ngjarje e kishte lidhur si përmirësim i raporteve myslimano-hebreje.
Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit ishte njëra nga pikat të cilën e nënshkruajtën Avdullah Hoti e Aleksandër Vuçiq. /Insajderi.com