Më 10 të këtij muaji, LGBTI dhe qytetarë në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti do të marshojnë në paradën e dytë të krenarisë në Prishtinë të quajtur “Në emër të lirisë”.
Parada do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” me fillim nga ora 11:30 dhe to të zgjas deri në 14:30.
Në paralajmrimin e ngjarjes të publikuar në Facebook, organizatorët shkruajnë se Java e Krenarisë ka për qëllim ta ngris vetëdijen, të fuqizojë personat LGBTI dhe të rris vizibilitetin në shoqërinë Kosovare për orientimet e ndryshme seksuale dhe identitetet gjinore.
Gjatë Javës së Krenarisë do të ketë aktivitete të shumta: nga shfaqje filmi, workshop-e, ekspozitë, konferencë, e deri te punëtoria që do të mbahet një ditë përpara paradës.
“Sllogani ‘Në emër të lirisë’ kërkon liri të shprehjes, liri të të qenurit të sigurtë, për liri te ndryshme të identitetit dhe sekualitetit, për jo-diskriminim dhe liri në konfidencialitet”, shkruhet në njoftimin për Paradën e Krenarisë.
Në këtë mënyrë, LGBTI shprehin reagimin e tyre dhë kërkesën për liri dhe siguri për komunitetet.
Kjo do të jetë parada e dytë e komunitetit LGBTI që po mbahet në Kosovë. Një vit më parë ishte mbajtur Parada e parë e Krenarisë nën slloganin “Në emër të dashnisë” në të cilën ndër të tjerë, morën pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruarir O’Connell, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Jope.