Kompania ajrore kombëtare, “Air Albania” ka njoftuar se në datë 15 korrik nis fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit “Zayed Flatrat e Veriut”, shkruan Insajderi.
Sipas njoftimit, destinacionet e para që do të nisin udhëtimet nga ky aeroport janë Cyrihu dhe Stambolli.
Klodiana Visha, operatore turistike në “Madd Travel” në Kukës ka bërë të ditur se ka pasur një fluks kërkesash për bileta udhëtimi për Cyrih dhe Stamboll, por edhe për destinacione të tjera, si Gjermani, Itali dhe Angli.
“Tani ka dalë informacioni dhe janë dy vende aktuale, Zyrih dhe Stamboll me nisje direkte nga Kukësi dhe biletat kanë qenë në kosto. Kemi pasur shumë data të rezervuara dhe presim që të futen edhe destinacione te tjera. Vendet më të kërkuara janë Italia, Gjermania dhe Anglia”, u shpreh ajo për abcneës.al.
Ajo ndër të tjera, thotë se fluksi i prenotimeve ka ardhur si rrjedhojë e çmimeve “lowcost” krahasuar me Prishtinën dhe Tiranën.
Sipas saj, klientët që do të udhëtojnë nga aeroporti i Kukësit janë jo vetëm nga Kukësi, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Në krahasim me Prishtinë-Stabmboll, Prishtinë-Cyrih, çmimet janë më të lira po ashtu edhe në krahasim me udhëtimet në Tiranë. Shitjet e biletave po mbarojnë, ndërsa klientët nuk janë vetëm nga Kukësi, por edhe nga Kosova , Maqedonia e Veriut si edhe nga Tirana”, u shpreh Visha.
Aeroporti “Zayed Flatrat e Veriut”, u inaugurua pak ditë para mbylljes zyrtare të fushatës së 25 prillit ndërkohë që vijojnë punimet në aeroportin e Kukësit./Insajderi.com