Kryesia e Kuvendit ka njoftuar së është vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 24 qershor, me 10 pika të rendit të ditës, shkruan Insajderi.
Në njoftimin e dërgua për media thuhet se në këtë seancë, Kuvendi do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për të vijuar më pas me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performances.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe rekomandime të tjera si rekomandimet për Raportin e Auditimit të performacës zbatimi i rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”, rekomandimet lidhur me Raportin e Auditimit të performacës.
“Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, si dhe ato për Raportin e Auditimit të performacës. Organizimi dhe menaxhimi i Investimeve të Teknologjisë së Informacionit në Institucionet Publike”, thuhet në njoftim.
Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, i bartur nga seanca e fundit.
Kryesia po ashtu vendosi që të martën, më 22 qershor 2021, Kuvendi të mbajë seancë solemne, për nder të ministrit të jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili do të mbajë një fjalë rasti.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi të rishpallet konkursi publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./Insajderi.com