fbpx

Me 300 mijë euro planifikohet rregullimi i të gjitha rrugëve malore në Deçan

Me 300 mijë euro planifikohet rregullimi i të gjitha rrugëve malore në Deçan

Rruga kryesore që shpie për në Bjeshkët e Isniqit që nga pranvera e vitit të kaluar nuk është e kalueshme për banorët e asaj ane që dalin në bjeshkët e veta, për shkak të dëmtimit të rrugës nga kompania “Kelkos Energy” SH.P.K në vendin e quajtur “Përroi i Gjuetisë”.

Komuna kishe hapur rrugë alternative për frekuentimin e qytetarëve në ato bjeshkë, por ajo është e papërshtatshme për kalim. Edhe në bjeshkët e tjera të Deçanit, si ajo e Belegut, Roshkodolit, Vokshit, Prejlepit… infrastruktura rrugore është primitive, shkruan sot Koha Ditore.

Gjithë këto vite të pasluftës komuna nuk e ka rregulluar apo asfaltuar asnjë rrugë malore, pavarësisht zhvillimit ekonomik të saj, e mbështetur në turizëm.

Deri sivjet Komuna kryesisht ishte orientuar në asfaltimin e rrugëve të fshatrave në rrafsh, ku edhe vazhdojnë investimet.

Vitin e kaluar Komuna dhe Ministria e Infrastrukturës kanë planifikuar për tre vite rreth 8 milionë euro investime në infrastrukturën e rrugëve lokale. Me këto mjete Komuna e Deçanit planifikon të kryejë gjatë këtij mandati rregullimin dhe asfaltimin e gjitha rrugëve lokale në territorin e saj, konkretisht ndërtimin dhe asfaltimin e 44 kilometrave rrugë lokale, për ta mbyllur tërë ciklin e rrugëve të fshatrave në këtë komunë.