Më 8 janar mbahet konferenca e radhës për Gucatin e Haradinajn

Më 8 janar mbahet konferenca e radhës për Gucatin e Haradinajn

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs kanë publikuar datën kur do të mbahet konferenca e radhës për krerët e organizatës së veteranëve, njofton Insajderi.

Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, do të dalin para Gjykatës Speciale në Hagë me datë 8 janar të vitit 2021.

Në këtë ditë do të mbahet konferencë për ecurinë në këtë çështje.

“Prokurori k.Gucatit&Haradinajt – Paraqitje e mëtejshme/Konferencë për ecurinë në çështjen Haradinaj 15:00”, thuhet në njoftim.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./Insajderi.com