Më 8 qershor, vendimi përfundimtar për Mlladiqin

Më 8 qershor, vendimi përfundimtar për Mlladiqin

8 qershori është data kur do të shpallet vendimi përfundimtar për ish-udhëheqësin ushtaraj të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, përpara Mekanizimit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, transmeton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga ky mekanizëm të premten e 30 prillit, raporton REL.

Në vitin 2017, Mlladiq është dënuar në shkallë të parë me burgim të përjetshëm, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Krimet kanë përfshirë edhe Masakrën e Srebrenicës, më 1995, në të cilën forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi tetë mijë burra dhe djem myslimanë.

Si mbrojtja, ashtu edhe prokuroria e kanë apeluar vendimin e shkallës së parë.

Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj, 2012.

Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.

Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë. /Insajderi.com