Më 9 qershor votohet kërkesa për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Më 9 qershor votohet kërkesa për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Konferenca e Kryetarëve ka caktuar sot datën e votimit të kërkesës për shkarkim nga detyra e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, njofton Insajderi.

Seanca plenare për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të presidentit, pritet të zhvillohet më datën 9 qershor, ditën e mërkurë, në orën 10:00.

Pas përfundimit të mbledhjes në konferencë për media doli Taulant Balla nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i cili konfirmoi edhe njëherë se seanca për shqyrtimin e raportit të komisionit hetimor për shkeljet e kreut të shtetit do të mbahet më 9 qershor.

Balla tha se iniciativa për shkarkimin e presidentit erdhi si pasojë e nevojës për të çliruar këtë institucion të rëndësishëm nga pengmarrja dhe abuzimi me detyrën.

“Sapo kemi përfunduar konferencën e kryetarëve ku jemi njohur me raportin e paraqitur nga komisioni hetimor për verifikimin e shkeljeve nga presidenti Është një raport konsistent prej 100 faqesh dhe që natyrshëm deputetët do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord që seanca për shqyrtimin e raportit dhe më pas votimin të mbahet më 9 qershor, ku kemi rënë dakord dhe kohën për diskutim të deputetëve për të vijuar me procedurën e shkarkimit. Iniciativa për shkarkimin e presidentit ka ardhur si një nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje dhe nga një abuzim i patolerueshëm me detyrën. Procedura për presidentin e ri do të kërkojë kohën e vet dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re që do të kthehet në kuvend më 9 shtator”, tha Balla. /Insajderi.com