Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas dorëheqjes së Gent Cakajt nga pozita e ushtruesit të detyrës së Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme në Shqipëri, njofton Insajderi.
Sipas saj, me dorëheqjen e Cakajt, Kosova dhe shqiptarët do ta ndjejnë mungesën e një përkrahje të fortë institucionale nga qeveria aktuale e Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj-Stublla është shprehur se momenti më krenar i bashkëpunimit mes saj dhe Cakajt, ishte konfirmimi i qëndrimit të përbashkët i të dy shteteve për mos-negocimin e territoreve të Kosovës.
“Gjithmonë kam qenë e bindur në premisën se aktiviteti politik i përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë – o funksionon në raport ekzkluziviteti – o në atë komplementar, por assesi dhe asnjëherë në raport kompetitiv paralel siç kanë tentuar e tentojnë vazhdimisht disa!”.
“Tashmë fakt i mirënjohur se Kosova e Shqipëria nëse nuk mund të faktorizohen bashkë, shanset për t’u faktorizuar ndaras mbi kurriz të njëra tjetrës janë minimale. Dhe këtu, mendoj se unë e Genti ia dolëm, duke mësuar shumë nga dështimi i rolit paternalist në tentativë i disave mbi Kosovën!”, ka shkruar ndër të tjera ajo./Insajderi.com