“Me këto lojna po e çoni ujin në mulli të PDK-së” – votuesi i LDK-së ankohet se Agim Veliu po ia fshi komentin

“Me këto lojna po e çoni ujin në mulli të PDK-së” – votuesi i LDK-së ankohet se Agim Veliu po ia fshi komentin

Një përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës është ankuar tek nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, se nuk po i toleron mendimet ndryshe në profilin e tij në Facebook.

Pas deklarimit të Veliut të martën në mbrëmje kur ai u shpreh kategorikisht kundër koalicionit LDK-LVV, pakënaqësitë ndaj tij kanë vërshuar në rrjetin social Facebook.

Një përkrahës i LDK-së ka kritikuar Veliun menjëherë pas shkrimit të publikuar të nënkryetarit të LDK-së në Facebook.

“Atëherë unë si përkrahës i LDK-së them se ju duhet të dilni përfundimisht në opozitë. Tregoni arsyet pse nuk po bëni koalicion me VV-në dhe largohuni nga negociatat për qeveri dhe lejani fituesit të zgjedhjeve të gjejë një zgjidhje/parti tjetër”, i ka shkruar Veliut një përkrahës i LDK-së në Facebook. “Me këto lojna sikur LDK sikur VV ujin jeni kah e çoni në mulli të PDK-së”.

Por, pas kësaj kritike të drejtuar ndaj Veliut në profilin e tij të rrjetit social Facebook, nënkryetari i LDK-së ia ka fshirë komentin përkrahësit të LDK-së.

“As neve që na mori votat nuk po na njef më.. po na fshin komentet”, ka shkruar përkrahësi i LDK-së në Facebook disa minuta pasi komenti i tij i ishte fshirë.

Veliu, në statusin e tij, ka thënë se oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është nënçmuese dhe “përpjekje e VV-së për pushtet absolut”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Veliu ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për arritjen e koalicionit “janë të dështuara”.

“Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, ka shkruar Veliu në profilin e tij të rrjetit social Facebook.

Kreu i Komunës së Podujevës është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të fitojë pushtet absolut në vend përmes koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votë”, ka thënë Veliu. “E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”. /Insajderi.com

Agim Veliu shprehet kategorikisht kundër ofertës së LVV-së për koalicion