Më në fund po vjen vera! Pas stuhive, në Europë do të rriten temperaturat

Më në fund po vjen vera! Pas stuhive, në Europë do të rriten temperaturat

Ftohtë dhe shi, por të premten në Itali mbërrin vera. Sinoptikanët e fqinjit përtej Adriatikut thonë se është duke u afruar një anticiklon nga Azoret. Këto janë ditët e fundit të paqëndrueshmërisë, nga sa parashikojnë ekspertët e “Il Meteo”.

Por, përpara afrimit të valës së nxehtësisë do të ketë – sipas tyre, – edhe një rënie tjetër temperaturash. Grahmat e fundit këto të frontit të ftohtë të përplasur mbi Itali dhe pjesë të tjera të Europës, fundjavën që shkoi, me reshje të dendura e mot të zymtë.

Mesjava në fakt duket se do të jetë me stuhi, sidomos në lindje të kontinentit të vjetër. Situata nuk duket shumë e mirë as në rajonin e Mesdheut për disa ditë. Është pikërisht ky sistem i paqëndrueshëm që kalon nëpër Korsikë, Sardenjë, më lart në Itali dhe në disa pjesë të Ballkanit, të cilit i faturohet një fundmaji kaq i ftohtë.

Por, pas kësaj duket se dielli, të paktën për disa vende do të shndërrijë sërish. Nga e premtja, anticikloni sjell një të ngrohtë të qëndrueshëm në veri të Italisë dhe termometri do të arrijë të tregojë 30 gradë Celsius, siç edhe duhej të pritej nga një muaj i zakonshëm qershori.