Më pak se 24 orë nga formimi i Ushtrisë

Më pak se 24 orë nga formimi i Ushtrisë

Pas më shumë se 10 vitesh pavarësi, deputetët kosovarë pritet që nesër të ngrisin duart për votimin e Ushtrisë.

Për në orën 10:00 është caktuar seanca e Kuvendit, për rritjen e kompetencave të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Në rendin e ditës janë tri projektligje të cilat ndërlidhen me formimin e Ushtrisë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Projektligji për FSK-në, Projektligji për shërbimin në FSK, dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes”, pritet që të votohen nesër nga të gjitha partitë në Kuvend, veç Listës Serbe.

Pas seancës, më saktësisht për në orën 17:00 është organizuar një ceremoni festive nga Qeveria e Kosovës.

Ajo do të mbahet në kazermën e FSK-së që mbahet në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë. Pritet të ftohen zyrtarë shtetërorë, deputetë, diplomatë ndërkombëtarë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Më shumë se 10 vite nga pavarësia, formimi i Ushtrisë po bëhet me përkrahjen e Amerikës dhe të Britanisë.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett në intervistën e tij të parë për mediat kosovare, tha që formimi i Ushtrisë për Kosovën është krejtësisht normale.

“Është hap i natyrshëm transformimi i FSK-së. Liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t’i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur”, kishte thënë Kosnett.

Përkrahje për Ushtrinë pati dje edhe nga Britania e Madhe. Ambasadori O’Connell gjatë një komunkimi me shokët e tij në facebook, tha se Kosova duhet ta ketë Ushtrinë e vetë.

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës të krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Kosovën të sillet me pergjegjësi dhe me transparencë, dhe në konsultim me aleatët e NATO, dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR, përfshirë edhe shkëmbimin e letrave të vitit 2012-2013”, tha O’Connell.

Tentativa për Ushtrinë kishte edhe më herët. Para rreth dy vitesh, presidenti actual, Hashim Thaçi kishte marrë iniciativën për formimin e Ushtrisë pa ndryshime kushtetuese.

Por presidentit nuk i dolën në krahë partnerët ndërkombëtarë. Amerika dhe shtetet e tjera mike të Kosovës, kishin dalur kundër.

Aktualisht iniciativën e Kosovës për Ushtri nuk po e përkrahin disa shtete brenda NATO-s. /Insajderi.com